Për njerëzit që veprojnë shkeleshko, pa e vrarë mendjen, në vendlindjen time, në Bozovcë të Tetovës, thuhet se janë jeshil. Gjykoj se edhe në përditshmërinë tonë, para së gjithash politike, ky togfjalësh vjen në shprehje, që çke me të! Gjykuar esull, përjashtim nuk bëjmë as ne njerëzit e medias, as edhe studiuesit e këtushëm, që në njëfarë mënyre, kush më shumë e kush më pak, ndikojmë në ndërtimin e mendimit dhe të opinionit publik. Ku dua të dal? Tek angazhimet tona që për mbrothtësinë tonë, jo rrallë dalin – shterpe!
Shkruan: SELADIN XHEZAIRI

Në vendet dhe kombet me demokraci të zhvilluar, pas çdo palë zgjedhjesh nis periudha e refelektimit të liderëve dhe partive politike karshi verdiktit të marrë nga votuesit. Ata dhe ato e manifestojnë këtë me atë që emërtohet si përgjegjësi dhe llogaridhënie para anëtarësisë dhe, sipas rregullit, dorëheqjet janë të paevitueshme.

Ndër ne, mjerisht, kjo vetëm mund të ëndërrohet. Karshi vlerësimeve të institucioneve vendore, po edhe të organizmave ndërkombëtarë për rregullësinë e zgjedhjeve, arsyetimet për daljen keq në garat zgjedhore janë si malet me shumë kodra! Dalja me më shumë lista zgjedhore, po të dihet numri i votuesve, vetëm se provon se ne hesapet i bëjmë pa hanxhinë dhe, edhe pas asaj ‘m’rrove t’rrova – brisku i berberit’(?!), kurrsesi të kapërcejmë Rubikonin që, pas gati tri dekada jete pluraliste, në vend se të ngushtohet, thellohet edhe më!

Partitë që dolën keq në zgjedhjet e fundit gjykoj se vetëm i japin ‘gajret’ vetes se – për të gjitha fajet na i paska BDI-ja dhe kreu i saj Ali Ahmeti. BDI-ja që edhe sot kur po flasim e kryeson renditjen tabelare të partive politike shqiptare këtu tek ne!

Dhe, edhe një sqarim: ky fakt nuk duhet marrë si përçapje për amnistim të ndonjë veprimi apo mosveprimi të ndonjë eksponenti nga radhët e integristëve në petk pushteti! Mirëpo, kur vëzhgojmë skenën politike dhe fjalorin atakues-mbrojtës të opozitarëve të sotëm, sikur fitohet përshtypja se ata dhe partitë e tyre do të duhet të çajnë përpara, jo vetëm me të shara, por duke ofruar edhe zgjidhje alternative të cilat votuesi nuk ka se si mos t’i njohë, qoftë edhe në zgjedhjet e radhës.

Ndër ne, po ashtu, ka një vistër institutesh, kemi dhe tre universitete, të cilat për të arsyetuar emrin, apo edhe për të bërë emër, do të duhej të na ofronin ato që i bëjnë, qoftë edhe në fqinjësi, organizmat simotra – kush, cila shtresë e popullatës, për kë votoi, kush, cila shtresë e popullatës, me të drejtë vote, abstenoi. Në vend të kësaj, debatin e zhvillojmë nëpër kafene-çajtore që firmat i kanë zëvendësuar me – të kësaj apo asaj partie! Dhe, vetëkënaqemi nëse ia qëllojmë se – kush ka për ta zëvendësuar Aliun i cili, deshëm apo s’deshëm, e pranojmë ose jo, doli ngadhnjimtar në më shumë se dhjetë palë zgjedhje.

Të mirat, të kuptohemi, vijnë me punë, jo me llafe!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here