Përballja televizive e kandidatëve për kryetar të komunës së Çairit, në debatin e organizuar në Sheshin Skënderbeu, të mërkurën nga Click plus TV 21 në pjesën më të madhe është bazuar në akuza për qeverisjen e kësaj komune.

Jo të katër kandidatët, Visar Ganiu nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Faruk Avdiu nga Aleanca për Shqiptarët, Zekirija Ibrahimi nga Lëvizja Besa dhe Idriz Orana nga Partia Demokratike Shqiptare, e shfrytëzuan minutazhin në dispozicion për të prezantuar programet dhe projektet e tyre.

Mungesa e ofertave konkrete është edhe një nga arsyet kryesore që debati të shndërrohej në një arenë akuzash. Kandidati i BDI-së, Visar Ganiu u atakua më shumë nga Ibrahimi i Besës dhe Avdiu i ASH, si për çështjen e koalicionit, ashtu edhe për borxhin që parafolësit pretenduan se posedonte komuna e Çairit, infrastrukturën, qarkullimin rrugor, e të tjera. Ai ka sqaruar se marrëveshja që kanë me LSDM është publike,

Çairi është komuna me më pak borxhe në Qytetin e Shkupit. Borxhi i Çairit është më i vogël se 1 milion euro, ndërsa një pjesë e këtij borxhi, është borxh i Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale për sheshin “Skënderbeu”, pasi llogaria rrjedhëse, konkretisht borxhi është i kësaj ministrie, ka sqaruar Ganiu, përkundër insistimeve të Ibrahimit se është më i madh. Kandidati i BDI-së ka prezantuar Kontratën 2017-2021, disa prej projekteve kryesore të saj, si edhe të 11 shtyllat ku konsiston qeverisja e katër viteve të ardhshme.

Kandidati i PDSH-së Idriz Orana më shumë sesa projekte është prezantuar si personi i cili ka bekgraundin e mjaftueshëm për të mirëqeverisur komunën, e cila sipas tij para së gjithash duhet të jetë transparente, si edhe ka parashtruar disa vizione të tij lidhur me investimet e ardhshme që duhet të koordinohen me fondet IPA të zhvillimit.

Edhepse akoma nuk kanë paraqitur ndonjë program konkret, kandidati i Besës, Ibrahimi tha se ata planifikojnë të ndikojnë në zhvillimin e bizneseve të vogla, të Çarshisë dhe bizneseve në të, rregullimin e komunikacionit rrugor, e të tjera.

Pa një program të mirëfilltë ka folur edhe kandidati i ASH, Avdiu, i cili po ashtu më shumë debatoi për ato që ai i quajti dështime në qeverisjen e kaluar. Vizionet e tij lidheshin me sistemimin e rrugëve dytësore, ndërtimin e parkingjeve. Për këto të fundit u akuzua nga kandidati Ganiu se i ka kopjuar nga strategjia e hartuar prej tij.

 

Lidhur me akuzat për koalicione me partitë maqedonase Ganiu i BDI-së ka thënë se ka qenë vendimtare për formimin e Qeverisë reformiste dhe nuk veproi si Lëvizja BESA, e cila natën e përgjakshme në Parlament, ikën menjëherë pasi u votua kryetari shqiptar i Parlamenti.

“BDI ajo që kishte votat për koalicion me cilëndo parti maqedonase, por se vendosi të dëgjojë vullnetin e shqiptarëve dhe vendosi për Qeverinë reformiste të LSDM-së. – Çelësi i Qeverisë është në duart e BDI-së”, ka thënë Ganiu.

LËR NJË PËRGJIGJE