Permes një postimi në profilin e tij zyrtar në Fb, zv kryeministri për Çështje Europiane në Qeverinë e RM, njëherit edhe shefi i Shtabit Komunal të BDI-Çair, z.Bujar Osmani u drejtohet votuesve të Çairit:

Të nderuar bashkëqytetar,

Po vijmë kah fundi i fushatës dhe fillimi i heshtjes zgjedhore, kur ne politikanët, do të heshtim, ndërsa ju qytetarët, do të mund të vendosni në mënyrë të pavarur para se ta sillni vendimin e fundit – kujt do t’ia besoni votën tuaj për katër vitet e ardhshme, për të udhëhequr me komunën tuaj. E komuna jonë është komuna më e bukur. Çairi është lagjja më e bukur, lagjja jonë, Çarshia jonë, parqet tona dhe fëmijët tanë në të. Çairi jemi të gjithë ne Çairasit. Prandaj, për Çairin e bëmë edhe programin më të bukur, programin më të mirë që ndonjëherë ka përgatitur deri më tani cili do qoftë kandidat, në cilat do qoftë zgjedhje, për cilëndo komunë. Dhe Çairi këtë e meriton. Çairi e meriton secilin projekt të programit tonë, secilën rrugicë, secilën rrugë çiklizmi, shkollë, klinikë fëmijësh, fasadë energjetike etj. Duke u bazuar në këtë ide, për Çairin bëmë me siguri edhe fushatën më pozitive, pa u marr me kundërshtarin, as me punën e tij, as me diskreditimin e tij. Ju përkushtuam projekteve tona, fushatës tonë, ekipit tonë. Ndërkaq, për promovimin e projekteve tona krijuam edhe ekip të mirë. Qindra të rinj, shpresa e re politike e Çairit, për çdo ditë vizituan shtëpitë tuaja, trokitën në dyert tuaja, biseduan për nevojat tuaja, sfidat, problemet dhe mblodhën propozimet tuaja. Fundja, ky program dhe ky ekip, udhëhiqen prej kandidatit më të mirë për kryetar komune, Visar Ganiu. Visari është njeri i mirë, modest, i ndershëm dhe punëtor; profesor, i respektuar prej kolegëve dhe studentëve; sportist, me frymë pozitive për punë ekipore dhe përkushtim të vazhdueshëm kah avancimi i sportit. Unë kam atë privilegj që të kem Visar Ganiun mik personal, ndërsa Çairi do ta ketë mundësinë që ta ketë Visar Ganiun, kryetarin më të mirë të komunës. Më lejoni në fund të kësaj fushate, plotësisht t’i demantoj spekulimet për gjoja përzierje të BDI-së në “sulmet” e supozuara të hakerëve, dhe bëj thirrje deri tek institucionet që me kujdes të veçantë dhe intensitet të fuqishëm t’i përkushtohen zgjidhjes së këtyre keqkuptimeve të palogjikshme, sepse qytetarët meritojnë drejtësi, pavarësi, dhe në kushte fer dhe të drejta, ta sjellin vendimin e tyre, pa qenë të penguar prej manipulimeve dhe dezinformatave. Zgjedhje pa njollë, është edhe obligim i yni para partnerëve tanë ndërkombëtar, e me synim që Republika e Maqedonisë të vazhdojë në rrugën drejtë përafrimit kah bashkimi euro-atlantik, por edhe kah vlerat evropiane.

Shef i Shtabit Zgjedhor të BDI-së Bujar Osmani

LËR NJË PËRGJIGJE